Të vetëpunësuarit fituan një betejë ligjore kundër qeverisë, por mes të dy palëve sot ekziston një ngërç.

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin për tatimin e profesionistëve të lirë, subjektet që parapaguan këstin e parë të detyrimit janë ende në pritje që t’u kthehen paratë.

Procedura që do të ndiqet është e paqartë, sepse mungon udhëzimi nga Ministria e Financave, megjithatë grupet e interesit thonë se detyrimi i paguar duhet t’u kthehet mbrapsht në formën e rimbursimit. Madje një variant tjetër, është që pagesa, t’u njihet si shumë e paguar për detyrime të tjera, duke u mbështetur në nenin 75 të ligjit “Për procedurat tatimore”.

Tashmë, ata presin që Ministria e Financave të nxjerrë vendimin dhe më pas të drejtohen në drejtoritë përkatëse tatimore.

Shuma e përgjithshme që Tatimet duhet të kthejnë mbrapsht, ende nuk është bërë publike, por dihet se janë një numër i madh biznesesh të cilët kanë paguar këstin që iu kërkua në muajin prill.

Pas padive të dorëzuara nga grupet e interesit edhe nga Partia Demokratike, Gjykata Kushtetuese vendosi në qershor në favor të profesionistëve të lirë, duke rrëzuar nenin që urdhëronte tatimin e tyre me 15 dhe 23%. Pas këtij vendimi, tatimi i këtij grupi do të nisë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera./Tema