Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka ritheksuar mbështetjen e Moskës për një shtet palestinez gjatë një takimi me liderin e Autoritetit Palestinez, Mohamud Abbas, në Novo-Oraiovo, në afërsi të Moskës të martën.
Putini nënvizoi se Rusia është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet në Rripin e Gazës.
“Ne mendojmë se për vendosjen e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon duhet të zbatohen të gjitha vendimet e OKB-së, dhe mbi të gjitha, duhet të themelohet një shtet palestinez”, tha Putin në fillim të bisedimeve me Abbasin.
Abbasi e falënderoi Rusinë për mbështetjen e palestinezëve.
Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gazë në vitin 2007, pas luftimeve me Hamasin – grupin e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin dhe thotë se për arsye sigurie nuk do të pranojë sundimin e Autoritetit Palestinez mbi Gazë pas luftës, që shpërtheu pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë rreth 1.200 njerëz, sipas zyrtarëve izraelitë.
Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.
Më shumë se 1.9 milion e popullsisë së përgjithshme prej 2.3 milionë banorësh e Gazës së paraluftës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur vazhdimisht nëpër territorin e vogël për t’i ikur luftës./Shqiptarja