Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan zhvilluan sot bisedime në margjinat e ditës së tretë dhe të fundit të samitit të 16-të të BRICS-it në qytetin rus të Kazanit.

Në një deklaratë të Presidencës së Azerbajxhanit thuhet se të dyja palët diskutuan për avancimin e agjendës dypalëshe në lidhje me marrëveshjen e paqes, përcaktimin dhe demarkacionin e kufijve dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Në deklaratë thuhet se ministrave të jashtëm të të dy vendeve u është kërkuar të vazhdojnë bisedimet dypalëshe për të përfunduar dhe nënshkruar marrëveshjen e paqes sa më shpejt të jetë e mundur.

Marrëdhëniet midis Bakusë dhe Jerevanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone ngjitur.

Pjesa më e madhe e territorit u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi pas një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia që hapi derën për normalizimin dhe demarkacionin e kufirit të tyre.

Në shtator të vitit 2023, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë në Karabak pas një operacioni antiterrorist pas të cilit forcat separatiste në rajon u dorëzuan./aa