Në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për të lehtësuar tensionet rajonale, një raund vendimtar negociatash është planifikuar të sot në Doha.
“Shefi i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel, do të marrin pjesë, siç kanë bërë në bisedimet e kaluara”, thanë burimet.
David Barnea, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme Mossad, pritet të përfaqësojë Izraelin.
Për shkak se Izraeli dhe lëvizja islamike palestineze Hamas nuk po negociojnë me njëri-tjetrin, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po veprojnë si ndërmjetës.
Hamasi tha se nuk do të marrë pjesë në bisedime, por është i gatshëm të informohet më pas për pikat e diskutuara.
Diskutimet shihen si një moment kyç në përpjekjen për të siguruar një armëpushim dhe për të lehtësuar një shkëmbim pengjesh në konfliktin e Gazës.
Shpresohet se një përparim në bisedime mund të parandalojë gjithashtu një sulm të rëndësishëm hakmarrës nga Irani kundër Izraelit dhe një përshkallëzim të konsiderueshëm të luftës.
Më 7 tetor, Hamasi dhe grupe të tjera nga Rripi i Gazës sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë si pengje.
Masakra e paprecedentë shkaktoi luftën në Gazë, gjatë së cilës Izraeli synon të shtypë Hamasin dhe grupet e tjera militante në Rripin e Gazës.
Gjatë një armëpushimi të shkurtër, mbi 100 pengje u liruan, në mesin e tyre ishinkryesisht gra dhe të moshuar.
Të liruarit raportuan kushte çnjerëzore gjatë robërisë, duke përfshirë privimet, dhunën dhe terrorin psikologjik.
Sipas të dhënave izraelite, Hamasi mban ende 115 pengje, shumë prej të cilëve mund të mos jenë më gjallë./ata