Një ndër temat që janë përdorur më së shumti për krijimin e përmbajtjeve keqinformuese në muajt e fundit në Kosovë është lufta në Palestinë.

Kështu u bë e ditur nga një raport i publikuar nga platforma për kontrollin e fakteve në Kosovë “Hibrid”, ku u prezantua raporti i dytë vjetor për çrregullimin informativ në Kosovë “Prapa Ekraneve: Adresimi i Sfidave të Informimit në Kosovë II”.

Qëllimi i këtij raporti është analizimi dhe raportimi mbi ekosistemin e çrregullimit informativ në Kosovë, derisa hulumtimi zbulon se si ngjarjet në fushën e politikës dhe atë socio-ekonomike ushqejnë prodhuesit e përmbajtjeve keqinformuese, rrjedhimisht ndikojnë edhe në aspektin e informimit e komunikimit.

Festim Rizanaj nga kjo platformë, tha se në këtë raport janë analizuar përmbajtje me 91 për qind prej tyre në gjuhën shqipe, 8 për qind në gjuhën serbe dhe 1 për qind anglisht.

Sa i përket keqinformimit lidhur me luftën në Palestinë, Rizanaj tha se përmbajtja keqinformuese është publikuar kryesisht në rrjete sociale, ku ka pasur video, fotografi të ndryshme që shumë shpesh kanë qenë nga konflikte të tjera dhe jo në Palestinë.

“Është interesant që një konflikt ndërkombëtar, siç është konflikti Izrael-Hamas, i nisur me 7 tetor të vitit të kaluar, ka mbizotëruar si temë e keqinformimit, që kryesisht janë publikuar në media sociale”, theksoi Rizanaj.

Pas çështjes së Palestinës, janë rastet tragjike ato të cilat janë përdorur për të keqinformuar dhe më pas informacionet rreth veriut të Kosovës, sidomos lidhur me rastin që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.

Sipas raportit, edhe çështja armatosjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sidomos pas blerjes së dronëve “Bayraktar” nga Türkiye, por edhe marrëveshjes për raketet “Javelin” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), nxitën qarkullimin e shumë dezinformatave.

Siguria, çështjet sociale dhe politika janë tri fushat kryesore ku është bërë më së shumti keqinformim në rrjete sociale dhe në media./aa