Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe ka paralajmëruar turistët anglezë të tregojnë kujdes gjatë pushimeve në Shqipëri, për shkak të situatës nga zjarret.
Në njoftim thuhet se turistët duhet të tregojnë kujdes të mos hedhin bishtat e cigareve në rrugë, për shkak të rrezikut nga zjarret, vepër që në rast zjarrvënieje dënohet me gjobë deri në burg.
“Zjarret janë shumë të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Duhet: të keni kujdes kur vizitoni ose udhëtoni nëpër fshat, sigurohuni që bishtat e cigareve të fiken siç duhet dhe të mos ndizni zjarre ose barbekju përveç në zona të caktuara dhe të shënuara.”
“Nuk duhet të lini mbeturina”, thuhet më tej, teksa paralajmëron: “Shkaktimi i një zjarri ose zjarri në pyll është një vepër penale në Shqipëri. Dënimet mund të rezultojnë nga gjoba deri në burgim. Jini të kujdesshëm nëse jeni në ose pranë një zone të prekur nga zjarret”.
Në njoftim janë vënë në dispozicion edhe numrat e emergjencave shqiptare si policia dhe zjarrfikësja.
Ky njoftim vjen në një kohë kur vendi ynë po përballet me vatra të mëdha zjarresh, po ashtu edhe vendet e tjera të rajonit./Dita