Në qytetin e Gjirokastrës gjatë sezonit të verës po punohet për rijetësimin e objekteve “Monument Kulture” dhe vendosjen e tyre në shërbimit të zhvillimit të turizmit.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore po restauron disa objekte me vlera historike dhe ndërtimore, të cilat janë të vizitueshme nga turistët.

“Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në kuadër të planit të hartuar në fillim të këtij viti ka kryer disa ndërhyrje kryesisht në objektet e qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës, gjithashtu edhe në objekte të kultit apo urat dhe objektet e tjera kalatë, fillimisht kemi kryer ndërhyrje në urat “Monument Kulture” Kategoria e Parë”, tha Ardis Duka, drejtor i Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër.

Përgjatë ndërhyrjeve restauruese po respektohen vlerat e arkitekturës tradicionale të Gjirokastrës, duke ruajtur veçantësinë ndërtimore të këtyre objekteve

“Po bëhen ndërhyrje në qendrën historike të Gjirokastrës duke bërë rehabilitimin e disa porrave, ku po ruhet tradita e restaurimit, dhe po unifikohen sipas standardeve të vjetra të ndërtimit, paralelisht vazhdon puna për restaurimin e çative, të cilat mund të rrezikonin edhe jetën e kalimtarëve por edhe vetë gjendjen e objekteve monument kulture”, shprehet Duka.

Shqetësim për strukturat e trashëgimisë kulturore ngelet gjendja e disa banesa karakteristike dhe godina “Monument Kulture” si shkak i braktisjes në vite nga pronarët.

Aktualisht qyteti i Gjirokastrës numëron rreth 50 objekte “Monument Kulture” Kategori e Parë dhe 500 monumente të Kategorisë së Dytë. Arkitektura karakteristike tashmë është një vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit ndërsa prej vitit 2005 Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s./EuroNews