Sekretari i ri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, njoftoi një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën pas një takimi me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe homologun e tij ukrainas Rustem Umerov në qytetin jugor ukrainas, Odesa.
Paketa do të përfshijë "më shumë armë artilerie, një 250 mijë pjesë të municionit dhe rreth 100 raketa precize Brimstone", thuhet në një deklaratë të qeverisë. Healey "gjithashtu u zotua të përshpejtojë mbështetjen ushtarake të zotuar për Ukrainën në prill, në mënyrë që ajo të arritjë brenda 100 ditëve të ardhshme".
Gjatë vizitës së tij, e cila përkoi me festimet ukrainase të Ditës së Marinës, ai "konfirmoi se angazhimi i palëkundur i Britanisë ndaj Ukrainës do të rigjallërohet nga qeveria e re në Westminster".
"Mund të ketë pasur një ndryshim në qeveri, por Britania e Madhe është e bashkuar për Ukrainën", tha Healey duke shtuar: "Si sekretar i ri i mbrojtjes, unë do të siguroj që ne të fuqizojmë mbështetjen e Britanisë duke rritur furnizimet me ndihmë jetike ushtarake".
Paketa e re do të përfshijë një çerek milionë fishekë municionesh të kalibrit 50, 90 raketa antitank Brimstone, 50 varka të vogla ushtarake për të mbështetur operacionet nëpër lumenjtë dhe pranë bregdetit, 40 automjete për çminim, 10 armë artilerie AS-90 dhe 61 buldozerë për të ndihmuar në ndërtimin e pozicioneve mbrojtëse dhe mbështetëse për sistemet AS-90 të dhuruara më parë, përfshirë 32 tyta të reja dhe rezerva kritike, të cilat do të ndihmojnë Ukrainën të lëshojë 60 mijë predha të tjerë 155 mm.
Mbretëria e Bashkuar njoftoi në prill të këtij viti paketën më të madhe të ndihmës ushtarake ndonjëherë për Ukrainën, përfshirë 400 automjete, 1.600 raketa goditëse dhe të mbrojtjes ajrore, raketa shtesë të drejtuara me saktësi me rreze të gjatë veprimi "Storm Shadow", 4 milionë fishekë municionesh dhe 60 varka./aa