Sekretari britanik i jashtëm, David Lammy, ka deklaruar se arritja e një marrëveshje “urgjentisht” është në interes afatgjatë të izraelitëve dhe palestinezëve, si dhe të rajonit më të gjerë.
“Ne jemi në një moment vendimtar për stabilitetin global. Orët dhe ditët e ardhshme mund të përcaktojnë të ardhmen e Lindjes së Mesme”, tha Lammy.
Komentet e tij erdhën pasi ndërmjetësuesit nga SHBA-ja, Katari, Egjipti dhe Izraeli po marrin pjesë në bisedimet për armëpushimin e Gazës.
Duke e përshkruar situatën në enklavën e rrethuar palestineze si “shkatërruese”, Lammy theksoi se sulmi izraelit në shkollën al-Tabeen në Rripin e Gazës tregoi se “palestinezët në Gaza nuk kanë ku të kthehen të sigurt”.
“Këto bisedime janë një mundësi për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm që mbron civilët në Gaza, siguron lirimin e pengjeve ende të mbajtura mizorisht nga Hamasi dhe rivendos stabilitetin në një moment të rrezikshëm për rajonin”, shtoi ai.
Duke kujtuar se ai zhvilloi bisedime me partner nga i gjithë rajoni për nevojën urgjente për t’i dhënë fund këtij konflikti, sekretari i jashtëm britanik tha se është “e qartë” se një armëpushim jo vetëm që do të mbronte civilët në Gaza, por gjithashtu do të hapte rrugën për një de-përshkallëzim më të gjerë dhe për të sjellë stabilitetin shumë të nevojshëm në Lindjen e Mesme.
“Është në interes të izraelitëve dhe palestinezëve që një marrëveshje të arrihet urgjentisht. U bëj thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në negociata me mirëbesim dhe të tregojnë fleksibilitetin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje”, shtoi ai, duke falënderuar Katarin, Egjiptin, SHBA-në dhe të gjithë partnerët ndërkombëtar për përpjekjet e tyre.
Ndërkohë, raportet e mediave duke cituar burime diplomatike thanë se Lammy do të udhëtojë në Izrael “në një përpjekje për të parandaluar një luftë të gjithanshme në Lindjen e Mesme”./aa