Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden dje ka mësuar se sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin po trajtohet nga kanceri i prostatës.

Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby foli mbi shëndetin e sekretarit të Mbrojtjes Austin dhe koordinimin midis Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit.

Kirby shpjegoi se Shtëpia e Bardhë mësoi vetëm më 5 janar se Austin ishte shtruar në spital dhe se ishte operuar më 22 dhjetor 2023 dhe se ai u dërgua në kujdesin intensiv për një infeksion më 1 janar të këtij viti.

Ai tha se Biden mësoi se Austin ka kancer të prostatës të martën në mëngjes. Ata mendojnë se sekretari i Mbrojtjes duhet të ishte transparent për këtë çështje dhe ta kishte informuar Shtëpinë e Bardhë.

"Deri në mëngjes, askush në Shtëpinë e Bardhë nuk e dinte se Austin kishte kancer të prostatës dhe presidenti u njoftua menjëherë", tha Kirby.

Kur u pyet nëse lëshimi i Austin-it për të informuar Shtëpinë e Bardhë për shëndetin e tij ishte mungesë besimi, Kirby tha se Biden i besonte Austin-it dhe se sekretari do të vazhdonte detyrën e tij.

Sekretari i Mbrojtjes, Austin ndodhet në spital që nga 1 janari për shkak të komplikimeve shëndetësore, njoftoi Pentagoni pak ditë më parë. Ata u përballën me kritika se pse publiku nuk u njoftua menjëherë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder njoftoi më 5 janar se Austin u pranua më 1 janar në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake Walter Reed në Maryland "për shkak të komplikimeve nga një procedurë mjekësore kohët e fundit".

Spitali ushtarak deklaroi se ministri u diagnostikua me kancer në prostatë në fillim të dhjetorit. Austin, 70-vjeç, është gjeneral i ushtrisë me katër yje në pension, i cili ushtron detyrën e shefit të mbrojtjes amerikane që nga 22 janari 2021./aa