Ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati aktual republikan për president, Donald Trump, ka bërë të ditur se nuk ka folur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që nga fundi i muajit korrik.
“Pres që të mund të flasë me të, por nuk e kam bërë që atëherë”, tha Trump në një konferencë për media në New Jersey.
Komentet e tij vijnë pasi disa raporte pretenduan se Trump dhe Netanyahu zhvilluan një telefonatë të mërkurën për të diskutuar marrëveshjen e pengjeve dhe të armëpushimit në Gaza.
Gjithashtu edhe zyra e kryeministrit izraelit tha se Netanyahu nuk ka folur me ish-presidentin Trump për këtë çështje.
Trump tha se kishte një takim për dy orë e gjysmë me Netanyahun në pronën e tij Mar-a-Lago në shtetin Florida më 26 korrik.
Takimi erdhi një ditë pasi Netanuahu u takua me presidentin Joe Biden dhe zv/presidenten Kamala Harris në Washington D.C., ku mbajti një fjalim të diskutueshëm në Kongresin e SHBA-së, duke pretenduar se një komandant në qytetin jugor Rafah në Gaza i ka thënë atij se praktikisht aty nuk ka pasur vdekje civile.
I pyetur nëse ai e inkurajoi Netanyahun të pranojë marrëveshjen e armëpushimit, Trump tha: “Jo, nuk e inkurajova atë. E dini, ai e di se çfarë po bën. Unë e inkurajova atë që ta kalonte këtë... por fitoni, merreni fitoren dhe përfundojeni. Duhet të ndalet. Vrasja duhet të ndalet”.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.
Sulmi izraelit që atëherë ka vrarë të paktën 40 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 92.400 të tjerë. Më shumë se 10 muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa