Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka hedhur poshtë thirrjet për përsëritjen e zgjedhjeve të propozuara nga liderët e Brazilit dhe Kolumbisë, duke theksuar sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Venezuelës.
"Venezuela ka sovranitetin e një vendi të pavarur me një kushtetutë, ka institucione dhe konfliktet në Venezuelë të çdo lloji zgjidhen midis venezuelasve, me institucionet e tyre, me ligjin e tyre dhe me kushtetutën e tyre", tha Maduro.
Komentet e presidentit Maduro erdhën si përgjigje ndaj propozimeve të presidentit brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva dhe presidentit kolumbian, Gustavo Petro, të cilët përkrahën një qeveri koalicioni me opozitën ose një përsëritje të zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut.
Maduro kritikoi atë që ai e quajti "diplomaci megafonike" nga liderët e huaj dhe përmendi mosmarrëveshjet politike të SHBA-së si një shembull se si konflikte të tilla duhet të zgjidhen brenda vendit.
Ai gjithashtu përsëriti se vetëm venezuelasit duhet të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre, pa ndërhyrje të jashtme.
Në një deklaratë lidhur me këtë, gjithashtu edhe presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, shprehu kundërshtimin e tij ndaj ndërhyrjeve të jashtme në çështjet elektorale të Venezuelës.
Ai theksoi rëndësinë e lejimit të institucioneve të Venezuelës, veçanërisht Gjykatës së Lartë të vendit, që të trajtojnë situatën në mënyrë të pavarur./aa