Qeveria planifikon të rrisë shpenzimet buxhetore në mënyrë progresive nga viti në  vit. Referuar vendimit për miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2025-2027, të publikuar në Fletoren Zyrtare vihet re se në 3 vitet e ardhshëm parashikohet që shpenzimet të njohin rritje të konsiderueshme.

Konkretisht, referuar aktit normativ të muajit shkurt 2024, shpenzimet buxhetore programohen në 414.6 miliardë lekë. Ndërsa, në 2025 ato planifikohet të shkojnë në 441.3 miliardë lekë, me një kapërcim prej 26.7 miliardë lekësh, dhe po ashtu do të vijojnë në rritje në vitin 2026 duke u planifikuar në 448.2 miliardë leke dhe në vitin 2027 në 452.6 miliardë lekë.

Rritja vihet re në të dy zërat kryesor, edhe në shpenzimet korrente dhe në ato kapitale, por më së shumti ato që do të “kushtojnë” më shumë janë shpenzimet korrente që lidhen me pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve të administratës, e cila vjen edhe si rrjedhojë e reformës së rritjes së pagave të ndërmarrë nga qeveria shqiptare.

Konkretisht në vitin 2025, shpenzimet korrente pritet të shkojnë 308.4 miliardë lekë  nga 287 miliardë lekë që janë programuar në vitin aktual, me një kapërcim prej 21.4 miliardë lekësh. Ndërsa shpenzimet kapitale vitin e ardhshëm programohen në 132.8 miliardë lekë me një rritje prej afro 5.3 miliardë lekësh në raport me vitin 2024.

Rritja vijon progresive për të dy zërat dhe në vitin 2027 parashikohet që institucionet publike në vend të çojnë 313 miliardë lekë shpenzime korrente dhe 139.6 miliardë lekë të shkojnë për investime, ku përfshihen ato me financim të brendshëm dhe të jashtëm./Tema