Në kantierin e lotit 5 dhe 6 të Unazës së Jashtme të Tiranës vijon me ritme puna, ku aktualisht janë realizuar 55 % e punimeve.

Kështu theksoi sot kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ndau pamje nga punimet që po kryhen në lotin 5 dhe 6 të Unazës së Jashtme të Unazës.

“Ky projekt që do t’i japë një frymëmarrje të re kryeqytetit me reduktimin e trafikut dhe hyrje-daljet e automjeteve për në Tiranë, po avancon dita-ditës në të gjitha lotet e saj’, tha Rama.

Unaza e Jashtme e Tiranës fillon në afërsi të Shkozës, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit, drejt zonës së Kinostudios.

Rama tha se “më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt Lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz – ish Sheshi Shqiponja”.

Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.

Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve./ata