Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës u nda nga jeta dje në moshën 91-vjeçare.
Në një mesazh ngushëllimi, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vlerësoi se si “spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës”.
“Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë”, u shpreh Presidenti.
Vera Zheji lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15 vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës.
Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si “Bota e përrallave”, “Universiteti popullor i radios”, “Enciklopedia e radios e disa të tjera”, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.
Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70. Vera Zheji lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë. Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.
Në vitin 1975, Vera Zheji la përfundimisht Radion dhe u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension./ata