Kalaja e Bashtovës, një nga më të bukurat në Shqipëri prej disa vitesh ka hyrë në programin e restaurimit, si pjesë e projektit EU4Culture.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se po kryhen ndërhyrje arkitekturore për restaurimin dhe plotësimin i qemerëve të tullës, restaurimin e bedenave të dëmtuar, restaurimin e shkallëve të gurit, si dhe ndriçimin artistik të mureve të kalasë në pjesën e brendshme dhe të jashtme të tyre.
Po ashtu, theksoi ministri, po kruhet pajisja e një pjese të murit me parapet metalik, për të siguruar mbrojtjen e vizitorëve gjatë lëvizjes mbi mur, si dhe plotësimi i njërës prej kullave me strukturë dekorative metalike dhe mbyllja e aksesit në disa pjesë të murit ku ecja mund të jetë e rrezikshme.
“Bashkëpunimi me EU4Culture Albania dhe UNOPS Albania sjell rezultate të prekshme për ekonominë dhe komunitetet, turizmin dhe ruajtjen e pasurive të trashëgimisë kulturore e historike”, theksoi ministri Gonxhja.
Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si vend i trashëgimisë botërore.
Zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregtimi e përdorur nga venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë omane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthuren bukur në strukturën e kalasë.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521./ata