Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë shkatërruar dje një urë rrugore me rëndësi strategjike në Rusi, gjatë ofensivës në rajonin e Kurskut.

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës Mykola Oleshchuk publikoi një video në Telegram ku tregohej bombardimi i një ure, në atë që ekspertët thonë se ka të ngjarë të jetë e vërtetë.

Videoja tregoi strukturën mbi lumin Seim në rrethin Glushkovo në gërmadha, duke shkatërruar një rrugë thelbësore furnizimi për trupat ruse.

Rusia më herët raportoi se ura ishte shkatërruar. Ajo ishte bombarduar prej disa ditësh nga forcat ukrainase gjatë inkursionit në territorin rus, i cili nisi më 6 gusht.

Oleshchuk konfirmoi se forcat ajrore po merrnin pjesë në mënyrë aktive në operacionet luftarake të forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë.

“Pilotët ukrainas kryejnë sulme precize kundër bastioneve të armikut, kundër grumbullimeve të pajisjeve dhe kundër qendrave logjistike të armikut dhe rrugëve të furnizimit”, tha komandanti.

Rusia ka shkatërruar ura të panumërta ukrainase, pjesë thelbësore të infrastrukturës energjetike të vendit dhe struktura të tjera civile gjatë luftës gjithëpërfshirëse të Kremlinit, duke shkaktuar dëme dhe viktima të pallogaritshme që janë shumë më të mëdha se dëmi i shkaktuar nga operacioni i Ukrainës në Kursk.

Ofensiva e paprecedentë tokësore e Ukrainës në zonën e Kurskut vjen mes të pushtimit të vazhdueshëm në shkallë të plotë të Rusisë, i cili filloi në shkurt 2022. Kievi po kërkon të detyrojë Moskën të pranojë negociata për t’i dhënë fund luftës.

Guvernatori i Kurskut Alexei Smirnov raportoi shkatërrimin e urës të premten.

Blogerët ushtarakë rusë thanë në Telegram se ura fillimisht u bombardua me raketa të prodhuara nga SHBA-ja dhe më pas u shkatërrua nga një goditje me një bombë rrëshqitëse./ata