Struktura e shpenzimeve të bashkive në Shqipëri diktohet nga funksionet e njësive të qeverisjes vendore dhe burimeve të financimit përkatëse. Sektori me peshën më të lartë në shpenzimet vendore nga burime të pakushtëzuara në vitin 2023 janë çështjet ekonomike, ku përfshihen mes të tjerash bujqësia, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, turizmi dhe transporti, me 14.5 miliardë lekë ose 21 përqind të shpenzimeve të përgjithshme, ndjekur nga sektori i shërbimeve të përgjithshme publike me 14 miliardë lekë, ose 20 përqind dhe arsimi 12.8 miliardë, ose 18.6 përqind.
Pesha e këtyre shpenzimeve të pushtetit vendor sipas funksioneve paraqet qartë rëndësinë që kanë këto shpenzime në raport me shërbimet publike që njësitë e vetëqeverisjes vendore ushtrojnë.
Shpërndarja e shpenzimeve të pushtetit vendor ka ruajtur të njëjtën strukturë si në vitet pararendëse, me një ulje të lehtë të peshës së shërbimeve të përgjithshme publike (20% në 2023 nga 22% në 2022) dhe rritje të peshës së shpenzimeve për funksionin e çështjeve ekonomike (21% nga 18%).
Pesha e sektorit “strehimi dhe komoditetet e komunitetit”, ku ndër të tjera përfshihen shpenzime të lidhura me ujësjellës kanalizimet, planifikimi urban apo ndriçimi), ka rënë ndjeshëm, nga 18% në 16% të shpenzimeve në vitin 2023, pavarësisht një rritjeje të lehtë në vlerë nominale prej 275 milionë lekësh. Shpenzimet në sektorët e tjerë kanë pasur një rritje të lehtë në vlerë nominale, ndonëse pesha e tyre relative në buxhetin vendor ka rënë në vitin 2023.
Nga ana tjetër, mbrojtja sociale ka një përqindje të ulët krahasuar me funksionet e tjera, kjo sepse më së shumti ky funksion financohet nga buxheti qendror në formën e transferues së kushtëzuar dhe në analizë është përfshirë vetëm financimi i bashkive nga burimet e veta për këtë funksion. Gjatë vitit 2023, të gjitha bashkitë, peshën më të madhe të shpenzimeve e kanë përdorur për financimin e 3 funksioneve siç është ai për “Shërbimet e përgjithshme publike” ”Arsimin”, dhe “Çështjet ekonomike”. Ruajtja e një trendi të ngjashëm të peshës së funksioneve si në bashkitë e mëdha ashtu edhe në ato më të vogla, tregon rëndësinë që këto funksione kanë për shërbimet në nivel vendor./Tema