Rreth 100 km rrugë lokale dhe rajonale në Shqipëri janë duke u rindërtuar ose zgjatur në kuadër të programit të mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe BE që përmirëson ndërlidhjen me zonat turistike në vend dhe cilësinë e ofertës së turizmit, një nga sektorët kyç të ekonomisë.

 

Programi, me një kontribut prej 60 milionë euro financim nga BERZH dhe 40 milionë euro grant nga BE financon rehabilitimin e zonave të trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe synon përmirësimin e infrastrukturës vendore dhe mjedisore si dhe lidhjet rajonale të transportit për të lehtësuar aksesin në disa fshatra dhe zona turistike. Programi mbështet gjithashtu bizneset e vogla që janë aktive në sektorin e turizmit me financime të dedikuara dhe shërbime këshillimore që do të ndihmojë në rritjen e konkurueshmërisë së sektorit.

 

Në një njoftim për shtyp BERZH bën të ditur se, punimet për ndërtimin dhe zgjatjen e rrugëve vijojnë në rrugën që lidh Parkun arkeologjik të Bylisit me qytetin e lashtë Ilir me autostradën e Fierit. Bylis ndodhet në një zonë kodrinore dhe nuk është lehtësisht i arritshëm përmes rrugës kryesore. Duke përmirësuar aksesin, rruga e re pritet të tërheqë edhe më shumë turistë të huaj dhe vendas në këtë park të famshëm arkeologjik ku mund të shikohen rrënojat e lashta të teatrit dhe stadiumit.

 

Punimet kanë filluar gjithashtu për rindërtimin e rrugës që lidh Poçemin dhe Vllahinën duke lehtësuar më tej aksesin drejt Bylisit nga qyteti bregdetar i Vloës. Krahas kësaj punimet restauruese në parkun arkeologjik të Apollonisë pritet të fillojnë në javët e ardhshme. Këto nisma do ta bëjnë të mundur ofrimin e paketave tërheqëse për turistët që duan të  kombinojnë Vlorën, Bylisin dhe Apolloninë.

 

Rruga prej 42 km që lidh Ersekën dhe Leskovikun është në rindërtim. Krahas rehabilitimit dhe rritjes së sigurisë kjo rrugë do të mundësojë kalimin drejt Korçës dhe Gjirokastrës duke rritur më tej potencialin e tyre turistik. ëëë

 

Gjithashtu rreth 40 km të tjerë midis Perlatit dhe Fushë Lurës po rehabilitohen. Krahas kësaj punimet pritet të fillojnë shpejt midis Shirokës dhe Zogaj pranë kufirit me Malin e Zi si dhe në urën e re mbi lumin Osum në zonën e Beratit.

 

Rehabilitimi i disa zonave turistike është gjithashtu i planifikuar përfshirë katër kisha në Vithkuq dhe Voskopojë.

 

“Aktualisht shumë vende turistike në Shqipëri nuk janë të lidhura mirë me rrugët kryesore kombëtare dhe zonat bregdetare çka e zvogëlon potencialin për zhvillim dhe tërheqjen e më shumë turistëve. Investimet në infrastrukturë rrugore duhet të përmirësojnë ndërlidhjen rajonale, të lehtësojë aksesin në vendet turistike dhe ndihmojë në zgjerimin e ofertës turistike rajonale”, shpjegon Drejtoresha e BERZH në Shqipëri, Ekaterina Solovova.

 

“Nxitja e turizmit në këto zona do të mundësojë zgjatjen e sezonit turistik përtej muajve të verës përgjatë gjithë vitit”, shtoi ajo.