Prodhimet shqiptare shpesh janë të anatemuara në kulmin e sezonit të prodhimit të tyre se janë të tejmbushura me kimike dhe plehra kimike, por të dhënat nga Departamenti i Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO) tregojnë se, Shqipëria ka pasur përdorim të madh të plehrave kimike para vitit 1990 në kohën e komunizmit (shiko grafikun e mëposhtëm).

Të dhënat e FAO tregojnë se Shqipëria rriti përdorimin e plehrave kimike kryesisht netrat dhe fosfat nga viti 1975 deri në vitin 1990. Për shkak se ekonomia komuniste ishte e bazuar në konsumin në prodhim me cikël të mbyllur, kultivimi i bujqësisë u shtri në sipërfaqe të mëdha.

Popullsia ishte në rritje te shpejtë, ndërkohë që regjimi i kohës mbylli tregtinë me jashtë. Për të rritur rendimentin u investua në linjat e prodhimit të plehrave kimike, të cilat gjetën përdorim të gjerë kudo në Shqipëri.

Pas vitit 1978 mesatarja vjetore e përdorimit të plehrave kimike ishte mbi 100 mijë tonë. Përdorimi i tyre ra në nivele drastike në dekadën e parë të tranzicionit ndërmjet 1990-2000. Rënia e regjimit komunist, valët e mëdha të emigracionit dhe ikja nga sektori i bujqësisë drejt sektorëve të tjerë bëri që shumë toka të mbeten djerrë dhe vendi të konsumonte mallra ushqimorë nga eksporti.

Përdorimi i plehrave kimike por në një intensitet më të ulët nisi pas vitit 2005 ku politika e subvencioneve nxiti kultivimin e perimeve në sera dhe rikthimin e pemëtoreve. Hapja e kanaleve të eksportit dhe avantazhi i prodhimit të hershëm në vendin tonë nxiti më tej investimet në sera dhe në fusha në Ultësirën Perëndimore, duke rikthyer përdorimin e plehrave kimike dhe organike ne rreth 50 mijë tonë në vit. Shqipëria është duke zgjeruar gjeografike e eksportit të prodhimeve bujqësore pasi një vend mesdhetar ka një klime të favorshme sidomos për kultivimin e perimeve të freskëta.

Nga mungesa e njohurive, laboratorëve dhe infrastrukturës këshilluese përdorimi i plehrave kimike është bërë pa kriter, po ekspertët e bujqësisë pohojnë se vendi ynë ka ende një përdorim shumë më të ulët të plehrave kimike për shkak të pamundësisë financiare. Duke qenë se të gjitha kimikatet për bujqësinë importohen dhe shpesh me çmime shumë të lartë, bujqit shqiptare edhe për shkak të mungesës së subvencioneve nuk kanë mundësi të blejnë sasi të tepërta të kimikateve për tokat e tyre.

FAO thotë e përdorimi i kimikateve është i përhapur shumë në Azi dhe Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, ndërsa në Afrikë ka një përdorim shumë të ulët të tyre. Edhe Europa renditet në mesin e kontinenteve që ka një intensitet ende të të ulët të përdorimit të kimikateve në bujqësi. Bujqësia në Shqipëri ende bazohet në ferma të vogla familjare të cilat përdorin kryesisht plehrat e bagëtive dhe shumë pak kimikate dhe pesticide./ Monitor