Tregu i brendshëm letrave të borxhit të qeverisë shqiptare po tërheq edhe investitorë nga jashtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, një fenomen i ri që po regjistrohet këtë vit është blerja e titujve të qeverisë nga investitorë jorezidentë. Portofoli i tyre në fund të 6-mujorit 2024 arriti vlerën e rreth 6 miliardë lekëve. Kjo shumë përbën 0.8% të totalit të borxhit të brendshëm.

Megjithatë, pjesëmarrja e investitorëve jorezidentë gjatë tremujorit të dytë 2024 mbuloi rreth 18% të shtesës së borxhit të qeverisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huamarrja e re neto në tregun e brendshëm u shtua me 24.7 miliardë lekë në tremujorin e dytë. Mbi këtë bazë, mund të llogaritet se gati 2.5 miliardë lekë ishte shtesa e huamarrjes që u financua nga investitorë jorezidentë.

Burime nga sektori financiar shprehen se në vitet e fundit investitorët e huaj po shfaqin një interes në rritje për tregun e titujve qeveritarë në Shqipëri. Ekspertët vlerësojnë se titujt e qeverisë shqiptare ofrojnë kthime mjaft tërheqëse, në raport me titujt e vendeve më të zhvilluara, ndaj po shihen si një alternativë për të diversifikuar portofolet e investimit. Një interes i lartë i investitorëve për titujt e qeverisë shqiptare është vërejtur edhe në emetimet e eurobondit, gjatë viteve të fundit. Ky interes, tashmë, duket se po shtrihet edhe në titujt e emetuar në tregun e brendshëm, në monedhën kombëtare lekë.

Shtesa e huamarrjes së qeverisë shqiptare në tremujorin e dytë konsistoi thuajse tërësisht, 97%, në obligacione, me maturitetit nga dy deri në 15 vjet. Pjesa më e madhe e instrumenteve të borxhit u ble nga bankat, në tremujorin e dytë, duke financuar rreth 68% të shtesës së huamarrjes së qeverisë. Individët mbuluan rreth 8% të huamarrjes neto në tregun e brendshëm.

Nga ana tjetër, huamarrja neto në tregun e huaj në tremujorin e dytë u reduktua me 8.8 miliard lekë. Për gjysmën e parë të vitit, huamarrja neto në tregun e huaj rezultoi negative për 10.6 miliard lekë. Tepricat e likuiditetit në valutë të trashëguara nga një vit më parë, si pasojë e emetimit të eurobondit, janë përdorur në shërbimin e borxhit të huaj përgjatë vitit 2024. Zhvillimet në huamarrjen e qeverisë së bashku me vlerat e suficitit fiskal të kësaj periudhe u faktorizuan në teprica të larta likuiditeti, të disponueshme për t’u shpenzuar në muajt pasardhës.

Borxhi publik u vlerësua në rreth 56.8% të PBB-së në fund të gjysmës së parë të vitit 2024, duke u reduktuar me rreth 2.1 pikë përqindje nga niveli i shënuar në fund të vitit 2023. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e mëtejshme e këtij raporti lidhet me mbiçmimin e monedhës vendase, rritjen ekonomike dhe pozicionin fiskal të përmirësuar gjatë gjysmës së parë të vitit. Balanca buxhetore ishte pozitive edhe në tremujorin e dytë në rreth 19 miliard lekë. Vlera e shënuar në fund të gjysmës së parë të vitit e suficitit fiskal ishte 51.4 miliardë lekë, e vlerësuar në 4.3% të PBB-së./ Monitor