Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se Ura e Ibrit është dashur të hapet që nga çlirimi i Kosovës dhe se po dëgjojnë me vëmendje vërejtjet e ndërkombëtarëve për hapjen e urës, por se Ura duhet hapur sa më parë.

Kryeministri Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Evropa i ka shembur të gjitha muret, prandaj duhet hapur edhe Ura e Ibrit.

“Duam që këtë ta bëjmë sa më parë, mirëpo as nuk do t’i befasojmë partnerët tanë e aleatët evropianë e amerikanë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, është e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, u shpreh Kurti kur u pyet për kohën se kur pritet hapja e saj, transmeton Gazeta Express.

Kurti iu ka përgjigjur edhe akuzave të opozitës, duke thënë se hapja e urës së ibrit nuk ka të bëjë me fushatë elektorale. /KosovaPress/