Në Krujë po vijon puna me intensitet për rikonstruksionin e spitalit “Dr. Stefan Gjoni”, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier i investimeve në shëndetësi, i cili do t’u ofrojë qytetarëve shërbime me kushte bashkëkohore.
“Vijojnë me intensitet punimet për rikonstruksionin e Spitalit të Krujës “Dr. Stefan Gjoni,” me synimin për përfundimin e tyre brenda afateve dhe rikthimin e kësaj infrastrukture shëndetësore në shërbim të plotë për qytetarët”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se deri më tani, një pjesë e konsiderueshme e punimeve është përmbyllur, ndërsa po vijojmë me fazat e tjera për të garantuar që ambientet e reja do të ofrojnë shërbime cilësore dhe kushte bashkëkohore për mbi 83 mijë banorë.
Spitali i ri i Krujës do të ketë një kapacitet prej 124 shtretërish, ndërsa risi e këtij investimi është shtimi i shërbimit të kontingjencës dhe rehabilitimit.
Në spitalin e ri të Krujës do të ofrohen edhe shërbimet e poliklinikës. Aktualisht të gjitha shërbimet e spitalit e Krujës janë transferuar në godinën e maternitetit dhe në qendrën shëndetësore të qytetit./ata