Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë interpelancës së kërkuar në Kuvend u shpreh se ngjarja tek Spitali i Onkologjikut po përdoret politikisht nga opozita.

“Ngjarja e shëmtuar e ndodhur në Spitalin Onkologjik na tregon sa shumë punë kemi bërë, por edhe se sa shumë punë kemi për të bërë që të pastrojmë sistemin nga metastazat e brendshme të tij. Vazhdoni e bëni politikë me këtë situatë e cila është vërtetë shqetësuese, por ne u ngritëm në nivelin e marrjes së masave emergjente”, u shpreh Koçiu.

Sa i përket mungesë së ilaçeve apo medikamenteve, ministrja e Shëndetësisë theksoi se është reduktuar në minimum kontrasti i të sotmes më të kaluarën.

“Nuk ishte e largët koha kur qytetarët duhet vinin në Tiranë për të marrë shërbimin e kimioterapisë apo buxhetet për medikamentet tumorale dhe lista e barnave të rimbursueshme, kujtoj 4 herë më e ulët në kohën tuaj, ishte e varfër në opsione dhe medikamente”, theksoi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “70-80 pacientë marrin shërbim në ditë në Onkologjik. 160 marrin shërbimin e radioterapisë në ditë falë atyre pajisjeve dhe akseleratorëve. Sa i përket brakiterapisë, kanë ardhur ekspertë e Agjencisë Ndërkombëtare Europiane Atomike të Vjenës të cilët po asistojnë dhe brenda muajit korrik ajo pajisje do të vihet në punë. Gjithashtu edhe ortovoltazhi brenda muajit korrik do të vihet në punë”.

Më tej, Koçiu nënvizoi se “ne kemi sot një Plan Kombëtar kundër kancerit 2023-2026, që parasheh forcimin e mëtejshëm të programeve depistuese, diagnostikimin e hershëm, rritjen e ndërgjegjësimit dhe pa dyshim, përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së trajtimit”.
Ajo shtoi se rekomandimet e KLSH janë parë dhe trajtuar me vëmendje të veçantë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.

“Ndryshe nga sa ju pretendoni, e vërteta është se për çdo rekomandim, janë bërë analiza të brendshme dhe në çdo rast që janë identifikuar problematika, janë hartuar plane e punës përkatëse për të adresuar çdo rekomandim të dhënë. Shumë prej këtyre rekomandimeve janë adresuar ndërkohë, ndërsa të tjera janë deleguar në strukturat përgjegjëse”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu./ata