Mimoza Paja është banakierja e cila mbeti e vrarë mbrëmjen e së dielës në një lokal në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet.

 

60-vjeçarja Paja dyshohet të jetë vrarë aksidentalisht nga breshëria e armës dhe të mos ketë asnjë lidhje me ngjarjen. Mësohet se Paja jetonte me qira vetëm disa metra larg lokalit ku mbeti e vrarë, me djalin e saj Sajmirin dhe mbesën 10-vjeçare, Rea.

 

Ndwrkaq, për vrasjen e Pajës ka reaguar edhe djali i saj, i cili në një postim në Facebook shkruan: “Mallkuar qofshin ato plumat që i zbrazën në trupin tënd qofsh e xhenetit mam”.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 21:05, në lokalin në pronësi të Fajton Muratit, një person me precedentë të mëparshëm penal, ndërsa nga të shtënat u plagos xhaxhai i këtij të fundit, Sehat Murati dhe katër të tjerë Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli. Po ashtu e lënduar ka mbetur dhe një 10-vjeçare, e cila është mbesa e viktimës.