Transportonin emigrantë nga India, kundrejt pagesave, vihen në pranga 2 shtetas.

 

 

Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, është siguruar informacion se 2 shtetas po bashkëpunonin për të transportuar kundrejt pagesave, disa emigrantë që synonin të kalonin kufirin, ilegalisht.

 

Në bazë të këtyre informacioneve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasit R. D., 21 vjeç, banues në fshatin Golem dhe A. Gj., 25 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”.

 

 

Në afërsi të rrethrrotullimit të fshatit Dobër, është lokalizuar dhe ndaluar për kontrolle, automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin R. D. dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. Gj. Në këtë automjet ishin 3 emigrantë nga India, të cilët po transportoheshin nga 2 të arrestuarit, kundrejt pagesave, me qëllim kalimin e kufirit, në mënyrë të kundërligjshme, me destinacion vendet e BE-së.

 

Automjeti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 150 euro të dyshuara të përfituara nga transportimi.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.