Magnezi është një prej mineraleve më të dobishme për organizmin. Bashkë me kalçiumin dhe kaliumin, magnezi luan një rol thelbësor për shëndetin e zemrës, muskujt dhe kockat.Ai ndihmon kundër pagjumësisë, depresionit, migrenës.
Përpara se t’i drejtoheni farmacisë për të marrë suplementë, lexoni listën e AgroWeb.org me ushqimet më të pasura me magnez të cilat duhet të jenë pjesë e regjimit tuaj ushqimor.
Tërshëra
Përfitimet e tërshërës janë të panumërta.
Ajo është e pasur me proteinë, fibër dhe disa vitamina të kompleksit B.
Një gjysëm racioni me tërshërë plotëson 32% të sasisë së rekomanduar ditore të magnezit.
Spinaqi
Kjo barishte e shëndetshme është e pasur me ushqyes të nevojshëm për mbarëvajtjen e organizmit.
Spinaqi mund të hahet i freskët ose i gatuar.
Vitamina C dhe kaliumi përthithen më mirë nëse spinaqi hahet i gjallë ndërsa vitaminat A dhe E përthithen më shumë kur spinaqi është i gatuar.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, një racion me spinaq përmban 39% të dozës së rekomanduar ditore të magnezit.
Farat e Kungullit
Me një sasi prej çerek filxhani çaji me fara kungulli mund të plotësoni 50% të dozës së rekomanduar ditore të magnezit.
Në të njëjtën sasi mund të përfitoni sasi të mëdha të zinkut dhe acideve yndyrore omega-3.
Farat e Linit
Farat e linit janë të vështira për t’u tretur nga organizmi ndaj rekomandohet që ato t’i konsumoni në formën e pluhurit që të përthithni sa më shumë vlera prej tyre.
Farat e linit janë një ndër burimet më të mira të acideve yndyrore omega-3 por edhe të magnezit.
Në dy lugë të vetme me fara plotësoni 15% të dozës së rekomanduar të këtij minerali.
Çokollata E Zezë
Çokollata e zezë është e pasur me antioksidantë, hekur, kalçium dhe vitaminat e kompleksit B.
Një katror i vetëm i çokollatës së zezë plotëson 24% të dozës së rekomanduar ditore të magnezit.
Për përfitime të mëdha konsumoni kakao të papërpunuar që ka sasi më të mëdha të magnezit.
Avokado
Avokado është e pasur me shumë ushqyes të vlefshëm siç janë vitamina A, C, K, fibra, yndyrnat mono-të-pangopura dhe antioksidantët.
Avokado është gjithashtu një burim i shkëlqyer i magnezit.
Një kokërr e vetme ofron 58 miligramë magnez ose 15% të dozës së rekomanduar ditore.
Fasulet E Zeza
Këto bishtajore janë të pasura me fibër, antioksidantë dhe proteina.
Një racion me fasule të zeza të gatuara përmban 30% të dozës së rekomanduar ditore të magnezit./AgroWeb.org