Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar lidhur me atë që ai e cilëson si skandalin me mbetjet toksike në Shqipëri.
"Skandali i 816 ton mbetje toksike, që u nisën nga porti i Durrësit, “hani pa porta” i Edi Ramës për çdo lloj trafiku e trafikanti, është një tjetër aferë e tmerrshme kriminale, që rrezikon të marrë përmasa më të mëdha në rast se 100 kontenierët do të detyrohen të rikthehen sërish në Shqipëri duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Ky skandal vërteton jo vetëm kapitullimin e institucioneve përgjegjëse të sigurisë së një vendi anëtar të NATO-s, por edhe implikimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë në këtë aferë të pistë kriminale.
Pranimi i skandalit nga autoritetet shqiptare vetëm pas dhënies së alarmit nga organizata prestigjioze ndërkombëtare ambientaliste “Basel Action Network”, denoncimi në median “Bloomberg” dhe reagimi i institucioneve të Tajlandës, provon se Edi Rama i ka dhuruar portin e Durrësit, mafias së plehrave dhe trafikantëve ndërkombëtarë.
Në një shtet të së drejtës, ku institucionet më të larta të sigurisë janë në këmbë në luftë kundër çdo lloj trafiku, kurrë nuk do të mund të ngarkoheshin në anije 100 kontenierë me mbetje të rrezikshme, ditën për diell dhe "pa i parë askush".
Minimalisht përgjegjësitë ligjore duhet të ishin konstatuar, shkarkimet duhet të ishin kryer dhe arrestimet duhet të ishin realizuar. Përkundrazi, asgjë nuk ka ndodhur!
Mungesa e një reagimi edhe nga SPAK për “krimin e radhës intelektual” të qeverisë së inceneratorëve fantazmë, vërteton pisllëkun e madh ku e ka zhytur vendin narko-shteti i Edi Ramës dhe Rama-forma me korrupsionin skizofrenik, që me këtë aferë të radhës po rrezikojnë seriozisht edhe shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Qeveria e inceneratorëve fantazmë meriton të hidhet në koshin e plehrave!", shprehet Ilir Meta në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale./OraNews