Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta deklaroi sot se, ratifikimi i protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore është një kërkesë e Komisionit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Në fjalën e tij në Komisionin për Politikën e Jashtme ku u diskutua projektligji “Për ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore”, Karameta tha se, “MD ka ndërmarrë nismën për ratifikimin e këtij protokolli, i cili paraqet rëndësi në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke qenë se palë e kësaj marrëveshjeje është edhe BE”.
“Mbi ndërmarrjen e procedurave për ratifikimin e këtij protokolli është kërkuar informacion dhe nga KE në takimin e fundit të Nënkomitetit të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë si dhe ratifikimi është një nga detyrat e lëna për Shqipërinë në progresraportin e vitit 2022”, tha Karameta.
Zv/ministri u shpreh se, “ky projektligj ofron zgjidhje të favorshme për kreditorët për të lehtësuar dhënien e vendimeve për detyrim ushqimor në rrethana ndërkufitare”.
“Protokolli mbi ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore ka si qëllim përcaktimin e ligjit të zbatueshëm për detyrim ushqimor që rrjedh nga një marrëdhënie familjare, prindërore, martese ose lidhje tjetër, jo gjinie, duke përfshirë detyrimin për ushqim në lidhje me një fëmijë, pavarësisht nga statusi martesor i prindërve”, theksoi Karameta.
“Protokolli përdor si kriter zgjedhjen e ligjit të zbatueshëm atë të vendqëndrimit të zakonshëm të përfituesit të detyrimit ushqimor”, tha ai.
Gjithashtu, shtoi Karameta, “protokolli ka parashikuar rregulla të veçanta favorizuese ndaj disa përfituesve, si në rastet kur detyrimi për ushqim është nga prindërit ndaj fëmijëve të tyre, personave të tjerë përveç prindërve, ndaj personave që kanë mbushur moshën 21 vjeç, fëmijëve ndaj prindërve të tyre, si dhe ndërmjet bashkëshortëve ose ish-bashkëshortëve”.
“Protokolli ofron liri më të gjerë për palët në drejtim të zgjedhjes së ligjit të zbatueshëm në marrëdhënien e tyre lidhur me detyrimin për ushqim, duke mundësuar që palët të zgjedhin atë ligj që vetë e çmojnë që u shërben më mirë të drejtave të tyre”, tha më tej Karameta.
Relatorja e çështjes, Klodiana Spahiu, u shpreh se, ky protokoll lehtëson kreditorët për dhëniet e vendimeve për detyrimin ushqimor edhe në rrethana ndërkombëtare.
Më pas Komisioni miratoi në mënyrë unanime projektligjin./ata