Kryeministri Edi Rama u ndal sot gjatë aktivitetit të organizuar me rasti e çeljes së Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes edhe tek dronët Bayyraktar me të cilët është pajisur Forca Ajrore.
Rama tha se një pjesë të rëndësishme të inspektimeve “ne do të mund t’i bëjmë, më në fund, pa njerëz në terren, por me sy nga lart falë dronëve Bayyraktar”.
“Falë koordinimit që po bën Ministria e Mbrojtjes dhe disponimit të Shtabit të Përgjithshëm, ku institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me inspektimet më të rëndësishme në territor janë vënë në kontakt dhe po përgatisin protokollet e punës do të kemi supervizim të vazhdueshëm dhe të pagabueshëm për territorin në aspektin e mbetjeve, në aspektin e ujërave, në aspektin e tokës bujqësore, të parcelave të punuara, të parcelave të papunuara, në aspektin e ndërtimeve, në aspektin për ligjin në ndërtim dhe ndërtimet pa leje dhe kështu një tjetër pjesë e llumit të korrupsionit, që është produkt i shkallës së modernizimit, do të largohet nga jeta e përditshme institucionale dhe nga jeta e përditshme ekonomike dhe sociale e vendit, siç është larguar një pjesë e madhe e atij llumi falë gjithë shërbimeve që prej disa vitesh ofrohen sot online përmes portalit “e-Albania””, u shpreh Kryeministri Rama.
“Siç do të largohet një pjesë tjetër e atij llumit përmes reformës tërësore që po bëjmë në sistemin e prokurimeve, nga njëra anë me krijimin e një operatori kombëtar të shërbimit të prokurimeve, në bashkëpunim me agjenci të mirënjohura ndërkombëtare që bazohen në praktikat më të mira të prokurimit dhe nga ana tjetër me sistemin e ri të Inteligjencës Artificiale që po punon së bashku me Microsoft-in për ta vënë në dispozicion të sistemit të prokurimeve dhe kështu për të larguar përfundimisht nga sfera e mbipopulluar me komisione dhe komisionerë prokurimesh pasojat e padijes, pasojat e ryshfetit, pasojat e papërgjegjshmërisë që sjellin natyrisht me vete edhe dëmet e tyre, kur vjen puna për integritetin e fondeve publike dhe financave të shtetit”, u shpreh ai.
Në fund, por jo për nga rëndësia, vijoi Rama, “më vjen jashtëzakonisht mirë që sot ushtria, që sot territori i Mbrojtjes, sektori i Mbrojtjes, zona e ndaluar ushtarake që gjithmonë është parë si një pjesë e cila na garanton nga agresionet e jashtme, por që nuk ka ndërveprim me zonat e tjera, po kthehet në një destinacion që do të jetë gjithmonë e më i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi në aspektin e zhvillimit teknologjik, në aspektin e inovacionit dhe patjetër në aspektin e krijimit të gjithmonë e më shumë realiteteve ku punësimi i mirëpaguar do të jetë baza e zhvillimit të atyre realiteteve”./ata