Nuk ka më ditë të qeta në kursin e këmbimit. Stabiliteti në treg duket i largët në kushtet kur monedhat e huaja janë më të dobëta se kurrë përballë lekut të fortë.

Këtë të martë (20 gusht) është regjistruar një tjetër rekord në kursin e këmbimit. Dollari amerikan po këmbehet me 89 lekë që është niveli më i ulët historik, duke u zhvlerësuar edhe në raport me vjet. Referuar kursit zyrtar një dollarë vjet në këtë periudhë këmbehej 99-100 lekë.

Në rënie po ashtu është edhe euro, e cila po shitet e blihet me 99 lekë, ndërkohë që vjet në gusht këmbehej nga 106-110 lekë.

Zhvlerësimi i valutave edhe pse po thellohet, duket se është i pamundur të stabilizohet nga Banka e Shqipërisë, e cila vijon të theksojë që po e shkakton fluksi i valutës së ardhur nga burime formale.

“Kursi i këmbimit ka ruajtur kahun mbiçmues, i ushqyer nga flukset e rritura të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte”, theksohet në raportin e BSH të Politikës Monetare.

Pa deklaruar nëse ka ndërhyrë në kurs deri më tani për ta stabilizuar, Banka e Shqipërisë thotë se zhvlerësimi i euros e dollarit ka pasur ndikim pozitiv në inflacionin pasi kanë ulur çmimet e mallrave të importuara.

“Presionet e përgjithshme inflacioniste janë reduktuar, të ndihmuara nga rënia e inflacionit në partnerët tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë dy viteve të fundit”, thotë Banka e Shqipërisë.

Por ky fakt kundërshtohet nga deputeti socialit Erion Braçe i cili një ditë më parë shkruante në rrjetet sociale se në kushtet kur dollari e euro janë në minimumin e tyre duhet të ishte ulur më shumë karburanti dhe po ashtu edhe çmimi i ushqimeve të importuara që nga vaji, orizi, sheqeri, mielli makaronat e deri tek bulmeti./Shqiptarja