Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, diskutoi sot projektligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj, tha se, “ky projektligj vjen si një përditësim i nevojshëm i ligjit ekzistues të vitit 2011, duke reflektuar zhvillimet e fundit ekonomike dhe standardet ndërkombëtare”.

Sipas saj, ndryshimet ligjore adresojnë disa nga problematikat kryesore që janë shfaqur gjatë viteve të fundit, si mungesa e koordinimit ndërmjet inspektorateve, mbivendosja e inspektimeve, dhe mungesa e një procesi të qartë dhe të drejtë ankimimi.

“Objektivi kryesor i kësaj reforme është mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve, duke siguruar produkte më të sigurta, një mjedis më të pastër dhe kushte më të mira pune. Synojmë të rrisim informomin për bizneset në pëmbushjen e kërkesave ligjore”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se, fokus është krijimi i një sistemi inspektimi që prioritet kanë parandalimin dhe këshillimin e subjekteve, duke reduktuar në të njëjtën kohë barrën e inspektimeve të shumta dhe të panevojshme.

Sipas saj, fokus kryesor i këtij projektlgji është paralajmërimi si mjet kryesor i dënimit administrativ.

“Paralajmërimi është dënimi administrativ i parë, kjo politikë synon minimizimin e gjobave si kërcënim ndaj subjekve, modernizimin e proceseve të inspektimit që një subjekt mos të inspektohet nga disa inspektorë në të njëjtën periudhë por do të sjellim koordinim të procesit”, theksoi Ibrahimaj.

Projektligji sjell të reja të rëndësishme, si përqendrimi i inspektimeve mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe krijimi i një procesi të pavarur dhe transparent për shqyrtimin e ankesave. Këto masa synojnë të përmirësojnë profesionalizmin dhe efikasitetin e trupës së inspektimit dhe mbi të gjitha, të forcojmë besimin e qytetarëve dhe bizneseve tek ky proces./ata