Reforma e inspektimeve pritet të nisë brenda këtij muaji, ndërkohë që projektligji i ri do të miratohet në seancën e radhës së Kuvendit. Ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj, nëpërmjet një videomesazhi ka theksuar se, ky projektligj vjen si një përditësim i nevojshëm i ligjit ekzistues të vitit 2011, duke reflektuar zhvillimet e fundit ekonomike dhe standardet ndërkombëtare.
Projektligji i ri adreson disa nga problematikat kryesore që janë shfaqur gjatë viteve të fundit, si mungesa e koordinimit ndërmjet inspektorateve, mbivendosja e inspektimeve, dhe mungesa e një procesi të qartë dhe të drejtë ankimimi. Objektivi kryesor i kësaj reforme është mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve, duke siguruar produkte më të sigurta, një mjedis më të pastër dhe kushte më të mira pune.
Sipas ministers Ibrahimaj, synohet krijimi i një sistemi inspektimi që fokusohet tek parandalimi dhe këshillimi i subjekteve, duke reduktuar në të njëjtën kohë barrën e inspektimeve të shumta dhe të panevojshme.
Projektligji sjell të reja të rëndësishme, si përqendrimi i inspektimeve mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe krijimi i një procesi të pavarur dhe transparent për shqyrtimin e ankesave. Këto masa synojnë të përmirësojnë profesionalizmin dhe efikasitetin e trupës së inspektimit dhe mbi të gjitha, të forcojmë besimin e qytetarëve dhe bizneseve tek ky proces.
Ministrja shtoi se, projektligji kontribon thelbësisht në krijimin e një mjedisi më të drejtë dhe të besueshëm për të gjithë, duke mbështetur sipërmarrjen dhe përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët./Scan