Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka publikuar prioritetet kombëtare të programit për turizmin.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale Basha theksoi se duke ndjekur modelet rajonale do të subvencionohen një pjesë e mirë e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, si dhe do të hapen 4 shkolla profesionale me fokus këtë sektor.

Basha tha se “do të përmirësojmë rrjetet e brendshme të infrastrukturës kombëtare duke bërë të mundur ndërtimin dhe vënien në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian pa pagesë në fund të mandatit të parë qeverisës; heqim pagesën për çdo makinë në Rrugën e Kombit; bëjmë të mundur rehabilitimin e aksit rrugor Shkodër-Tropojë-Kukës-Dibër-Librazhd-Përrenjas-Pogradec-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër që njihet si unaza lindore kombëtare”.

“Zhvillimi i infrastrukturës dhe platforma jonë e taksave të ulëta do të mundësojë që operatorët turistikë, të çliruar nga kosto e lartë e infrastrukturës së dobët dhe nga taksat e larta të qeverisjes qendrore dhe lokale, të kenë një ofertë turistike konkurruese për rajonin dhe për turistët anembanë botës”, theksoi Basha.

Basha shtoi se “në këtë mënyrë, turizmi me të vërtetë do të kthehet në një prioritet kombëtar dhe një zhvillues të ekonomisë kombëtare për të gjithë shqiptarët”./ata