Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ftoi sot të rinjtë që të aplikojnë për të studiuar në shkollën profesionale “Charles Telford Erikson” në Golem.

Denaj tha se “me një fokus të veçantë në aftësitë praktike dhe përgatitjen profesionale kjo shkollë ofron drejtimet bujqësi dhe veterinari duke u dhënë mundësi të rinjve të bëhen gati për tregun e punës, dhe të kontribuojnë në vizionin Bujqësia 2030”.

Ministrja Denaj solli shembullin e Adit dhe Gerit, të cilët zgjodhën shkollën profesionale “Charles Telford Erikson”.

Adi Gjuzi, 15 vjeç tha se zgjodhi shkollën  profesionale “Charles Telford Erikson” në degën e agroturizmit, pasi Shqipëria po zhvillohet shumë në fushën e turizmit dhe njerëz nga gjithë bota po vizitojnë vendin tonë.

“Agroturizmi nuk është vetëm për turizmin, por edhe për bujqësinë prandaj ne sigurohemi që ushqimet të jenë bio dhe me cilësi të lartë”, tha Gjuzi.

Ai i bëri apel bashkëmoshatarëve të zgjedhin shkollën profesionale për një punësim të sigurt.

Geri u shpreh se “kam zgjedhur degën agrobujqësi zgjodha këtë degë pasi kam familjarët që kanë 2 ha vreshta. Di shumë procese, por dua të mësoj akoma më shumë që t’i vijë në ndihmë jo vetëm biznesit familjar, por edhe komunitetit. Duke zgjedhur drejtimin bujqësi përfitoj bursë të plotë”.

Eugeni një ish-nxënës që ka mbaruar studimet dhe menaxhon biznesin e tij, si dhe Florenci një ish-nxënës tashmë mësues pranë shkollës, ndajnë eksperiencën e tyre, duke ftuar të rinjtë e tjerë të aplikojnë.

Kjo shkollë ofron edhe drejtimet Hoteleri-Turizëm dhe Ekonomi-Biznes.

Të interesuarit mund të aplikojnë në e-Albania në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”, deri më 30 shtator./ata