Ecuria e inflacionit sipas metodologjisë së Eurostat ka qënë e qëndrueshme edhe gjatë muajit korrik. Ndryshimi vjetor i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin korrik të këtij viti ishte 2.5%, në të njëjtin nivel që ishte edhe në qershor.

Ndërkohë, inflacioni sipas metodologjisë së Instat, rezultoi në nivelin e 2.1% për të dytin muaj me radhë, gjatë korrikut. Sipas Instat, rritja më e madhe e çmimeve, prej 4.1% vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3%, “Veshje dhe këpucë” me 2.7% dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.4%. Ndikimin më të vogël e kanë dhënë “Transporti” dhe “Komunikimi” me 0.3 % secili.

Ndërkohë, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është në rënie me 0.2% dhe është ndikuar nga ulja e çmimeve të grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0.7% secili.

Nga ana tjetër, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 0.4% secili, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.3% secili, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.1%.

E ndërkohë që Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) dhe Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në vendin tonë mbetet i pandryshuar për të dytin muaj me radhë, në Bashkimin Europian dhe në Eurozonë vihet re një rritje e inflacionin në 2.8% dhe 2.6% respektivisht për muajin korrik.

Këto të dhëna mund të sugjerojnë një presion të jashtëm inflacionist edhe për ekonominë tonë në muajt në vijim, në një kohë që Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg duke ulur normën bazë të interesit në nivelin e 3%./Tema