Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot lidhur me projektligjin e propozuar nga qeveria për importin e mbetjeve. Në një konferencë për mediet, Meta dënoi rikthimin e këtij pr/ligji, të cilin e cilësoi si riciklim të ligjit të rrëzuar në vitin 2017.

“Jemi këtu për të dënuar rikthimin fshehurazi nga Qeveria, projektligjin për importin e plehrave, pikërisht në kulmin e skandalit të përfshirjes së drejtpërdrejtë të Edi Ramës në trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike, që provon se plehrat janë kthyer në një minierë të thellë korrupsioni për zhvatjen çdo ditë të qindra-milionë eurove, por dhe të helmimit të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.

Gjatë deklaratës për mediat, Meta solli në vëmendje dhe mbetjet, sipas tij toksike, që janë transortuar nga porti i Durrësit drejt Kinës.

Presidenti i PL theksoi se, “në asnjë rast nuk mundet që një operacion i tillë kriminal me përfshirjen e kaq shumë aktorëve shtetërorë, të ndodhë pa dijeninë e tyre, sepse ato paguhen nga taksat tona, pikërisht për të kontrolluar çdo produkt, të gjitha mbetjet, pasojat e tyre në mjedis, destinacionin e tyre final, dhe janë direkt përgjegjëse për akte kaq të rënda kriminale, me pasoja të drejt për drejta,  për shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm aktualisht, por dhe brez pas brezi”.

Kjo, sipas tij, “dëshmon, jo vetëm pasigurinë e plotë dhe totale të këtij vendi dhe porteve të tij, që janë kthyer në hane pa porta për çdo lloj trafiku dhe trafikanti, por kjo dëshmon dhe asgjësimin total të shtetit të së drejtës, të kapur për fyti nga Edi Rama në çdo segment të tij’.

Lidhur me rastin ne fjale ka reaguar dhe Dogana Shqiptare, e cila ka sqaruar se Shqipëria është vend tranzit dhe jo eksportues i mbetjeve, që flitet në media. Në një reagim të  publikuar sot nga Doganat Shqiptare sqarohet se, “rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland”.

“Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China”, bën të ditur Dogana.

Sa më sipër, Dogana sqaron se, nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë. Nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.

ADSH thekson se, “si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligjzbatues”./ata