Administrata Doganore Shqiptare përmes një njoftimi per mediat mohoi sot lajmin e publikuar në disa medie se në prill të këtij viti Shqipëria i ka dërguar Kinës 115 kontejnerë me mbetje toksike.
“Nisur nga informacionet disinformuese që po shpërndahen prej ditësh në medie dhe po përdoren për arsye politike dhe për baltosjen e punës së Administratës Doganore Shqiptare, sqarojmë si vijon. Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova”, thuhet ne njoftimin per shtyp.
Dogana shqiptare sqaron se produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese “Apelbaum shpk” me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë, Kosovë, ndërsa firma pritëse/importuese është “ACHRO AG” me bazë në Steinhausen Zvicër.
“Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (Low grade zinc concentrate) me destinacion firmën pritëse “GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, Kinë”, thuhet më tej në njoftim.
Sa më sipër, Dogana thekson se nuk eshte produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë dhe nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.
“ADSH si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatues”, thuhet në njoftim./ata