Eni, Mikaela dhe Ema gjatë sezonit të verës po japin kontributin e tyre vullnetar në shërbim të vizitorëve në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli shembullin e tre vajzave nga Berati, të cilat me shumë përkushtim kanë ndihmuar vizitorët me orientimin brenda muzeut dhe vëzhgimin e sallave të ekspozimit, si një mbështetje e dobishme për personelin gjatë kësaj periudhe ku rritet ndjeshëm numri i vizitorëve.

Angazhimi i tre vajzave u bë i mundur në kuadër të politikave që nxisin vullnetarizmin mes të rinjve nga bashkia Berat dhe Drejtoria e Arsimit, Kulturës dhe Rinisë pranë saj, në bazë të një marrëveshjeje me Qendrën Muzeore Berat.

“Vullnetarizmi sjell dobi për pjesëmarrje aktive të të rinjve në mënyrë që të eksplorojnë fushat e tyre të interesit duke kontribuar në komunitet”, tha Gonxhja.

Në përfundim të kohës së caktuar për shërbimin vullnetar, vajzat do të marrin një letër reference ku do të shënohet i detajuar kontributi i tyre në këtë angazhim të dobishëm.

Muzeu Ikonografik “Onufri” vizitohet çdo vit nga mijëra turistë vendas e të huaj. Ky muze mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit./ata