Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë njoftuan të mërkurën se avokati Ben Emmerson është tërhequr nga ekipi mbrojtës i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është duke u gjykuar nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i mohon.
“Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson. Veseli dhe Emmersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme”, thuhet në njoftim.
Veseli dhe Emmerson u pajtuan për ndarjen për shkak të “prishjes së parevokueshme të marrëdhënieve të tyre klient-avokat”, sipas njoftimit.
Gjykata tha se trupi gjykues “u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”.
Emmerson, avokat ndërkombëtar dhe ish-raportuesi Special i OKB-së për Kundër Terrorizëm dhe të Drejtat e Njeriut, ishte emëruar në krye të mbrojtjes së Veselit në fund të vitit 2020.
Emmerson është i njohur për publikun kosovar, sidomos për proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në kuadër të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Ndër gjykimet që po vazhdon është edhe ai ndaj Veselit, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Ata kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë./REL