Poliklinika e Specialiteteve në Durrës është gati të hapë dyert, pas përfundimit të rikonstruksionit të plotë të saj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo poliklinikë.

“E rilindur dhe me pajisje të teknologjisë së fundit, Poliklinika e Specialiteteve do të ofrojë shërbime shëndetësore për rreth 290 mijë banorë të qarkut të Durrësit”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “me ambiente pritjeje të zgjeruara, kushte bashkëkohore dhe aparatura të teknologjisë më të fundit, Poliklinika e Specialiteteve do të ofrojë shërbim të shpejtë dhe cilësor në 17 specialitete të ndryshme dhe ekzaminime laboratorike”.

Poliklinika do të ofrojë shërbime cilësore dhe në kohë për specialitete të ndryshme si në kardiologji, neurologji, onkologji, ORL, okulistikë, endokrinologji, fizioterapi, psikiatri, nefrologji, gastroenterologji, germatologji, reumatologji, hematologji si dhe ekzaminime laboratorike ambulatore.

Në kuadër të këtij investimi, rëndësi i është dhënë krijimit të lehtësirave për të gjitha grupmoshat dhe mundësia e aksesimit për personat me aftësi të kufizuara./OraNews