Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot disa nga përshtypjet dhe vlerësimet e pushuesve që marrin shërbim në qendrat shëndetësore verore përgjatë vijës bregdetare.
Ministrja falënderon pushuesit për besimin e tyre, i cili shprehet ministrja, “na nxit të përmirësojmë dhe zgjerojmë më tej shërbimet tona shëndetësore anembanë vendit aty ku pushohet këto ditë vere”.
“Ne jemi pushues këtu në Shkëmbin e Kavajës. Vajzës sot i janë shfaqur disa puçrra, dyshova se është një lloj herpes. Fatmirësisht është hapur qendra shëndetësore këtu afër. Erdhëm u vizituam. Më tha doktoresha që nuk është herpes, po është diçka që e ka prekur nga deti. Na shkruajti kremin dhe jam shumë e kënaqur që jemi kaq afër dhe nuk kemi pasur nevojë të marrim makinën për të shkuar më larg”, u shpreh një pushuese.
Ndërsa një tjetër pushues u shpreh shumë i kënaqur me vendin dhe qendrën shëndetësore që është hapur afër vendit ku pushohet.
“Jam pushues prej 13 vitesh këtu. Sa herë kam kaluar e kam parë gjithmonë hapur”, tha një tjetër pushues.
“Qendra është në shërbim e hapur 24 orë për 7 ditë”, tha një tjetër pushues.
Një tjetër pushuese e moshuar tregon eksperiencën e saj në qendrën shëndetësore.
“Kisha dhimbje krahu. Sa vajta e kapën ato direkt. Zjarri i natës thanë. Më dhanë ilaçe, madje i kam akoma, dhe krem për t’u lyer dhe do shkoj mbasdite ta kontrolloj”, tha ajo.
Një tjetër pushuese u shpreh jashtëzakonisht e kënaqur.
“Unë pashë edhe të tjerë , shkonin prindër të rinj me fëmijë të vegjël me karroca dhe dilnin të buzëqeshur se ikte frika. Kjo është ajo që unë kam parë aty”, tha ajo./ata