Tirana International Film Festival shpalli sot përzgjedhjen zyrtare të filmave për edicionin e 22-të të TIFF 2024, që do të mbahet në periudhën 22-28 shtator.
Puna për përzgjedhjen e filmave në garë sipas organizatorëve ka nisur që prej tetorit 2023.
Mes 3700 aplikimeve nga 110 vende të botës, sot u paraqit lista zyrtare me 211 filma, nga të cilët 25 të metrazhit të gjatë dhe 186 filma të shkurtër.
Të gjithë filmat e përzgjedhur janë prodhuar në vitin 2023-24 dhe do të jenë premiera kombëtare, duke përfshirë shumë premiera botërore, ndërkombëtare, europiane dhe rajonale.
Filmat do të shfaqen në Kinema Millennium, Qendra e Artit AGIMI dhe Liceu Artistik.
Edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival (TIFF) shpalli fitues duke i dorëzuar edhe “Bufin e artë” regjisorin Abbaz Amini, për filmin “Endless Borders”.
Tirana International Film Festival është një festival indipendent, prej të cilit promovohen filma autor, jo komercialë, të cilët ndryshe do ta kishin të vështirë të çanin tregun e kinemasë e distribucionit./ata