Një zonë banimi me kushte e standarde bashkëkohore, do t’u japë mundësinë 300 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Kombinat, të nisin një jetë të re në apartamente me kushte shumë herë më të mira.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga blloku i ri i banimit, ndërsa bëri të ditur se janë drejt përfundimit apartamentet e reja për 300 familje në Kombinat që humbën shtëpitë nga tërmeti.
“Së shpejti këto familje do të nisin një kapitull të ri në jetën e tyre duke hyrë në banesa të reja, me kushte dinjitoze dhe lagje të kompletuara me infrastrukturë, parqe, kopshte, shkolla e qendra shëndetësore, të gjitha në funksion të komunitetit që do të banojë aty”, u shpreh Kryeministri.
Banesat do të shpërndahen me short, ndërsa në zonë po punohet për kompletimin e infrastrukturës mbështetëse, sipas standardeve më të mira./ata