Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile të Gazës njoftoi se ushtria izraelite nuk lejoi evakuimin e të plagosurve të bllokuar në një shtëpi të shkatërruar në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Në deklaratën me shkrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile thuhet se forcat izraelite refuzuan kërkesën për të koordinuar evakuimin e të plagosurve në shtëpinë e familjes Abu Hadrus, e cila u shkatërrua nga sulmet.
Janë marrë thirrje të shumta për të shpëtuar jetën e palestinezëve, e fundit prej të cilave ishte për të plagosurit në shtëpinë e familjes Abu Hadrus.
Mbrojtja Civile e Gazës dënoi heshtjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), të cilat qëndruan indiferente ndaj thirrjeve të shumta të bëra nga palestinezët.
"Vazhdimi i injorimit të britmave të të plagosurve nga familja Abu Hadrus do t'i bëjë ata në mesin e dëshmorëve, si mijëra të tjerë që ranë dëshmorë sepse ekipi ynë nuk mund të arrinte tek ata dhe t'u shpëtonte jetën", thuhet në deklaratë.
Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 40.265 palestinezë, përfshirë të paktën 16.480 fëmijë dhe 10.980 gra ndërsa 93.144 persona u plagosën. Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar./aa