Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot të verifikojë kutitë e materialeve zgjedhore lidhur me zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit për kreun e bashkisë së Himarës.
Vendimi erdhi pas kërkesës së opozitës, e cila kërkoi që të verifikojë materialet zgjedhore të cilat ndodhen në kuti.
Përfaqësuesit ligjorë të opozitës në KAS argumentuan se kjo ka qenë një kërkesë e tyre drejtuar KQZ-së, por nga administrata zgjedhore është argumentuar se materialet nuk disponohen, pasi ndodhen në kuti.
“KQZ nuk na i vendosi në dispozicion këto dokumente pasi sipas tyre këto elementë nuk i kishin sepse gjendeshin në kuti. Prandaj po kërkojmë edhe ne të hapen kutitë e materialeve zgjedhore dhe saktësisht kërkojmë regjistrat e posaçëm të 36 qendrave dhe kopjen e procesverbaleve apo dokumenteve të tjerë ku mund të jetë shënuar qoftë edhe manualisht se 260 votues kanë pasur problematikë me PEI-n, ndërkohë që karta e tyre ishte rinovuar pak përpara”, tha përfaqësuesi i opozitës.
Nga ana e tyre, anëtarët e KAS kërkuan që opozita të specifikojë llojin e materialeve që kërkon të verifikojë dhe të jetë prezente në momentin e hapjes së kutive të materileve zgjedhore.
Kreu i KAS, Koli Bele u shpreh se procesi do të administrohet nga KQZ.
“Duke qenë se 2 anëtarë të KAS shfrytëzuan të drejtën që buron nga neni 21 fraksion 2 si dhe praktika e konsoliduar në rastet e mëparshme, vendoset pa debat të hapen kutitë e materialeve sipas kërkesës së ankuesit. Ky proces do të administrohet nga administrata e KQZ-së. Procesi do te kryhet ne prezencë të palës. Gjatë procesit do të administrohen kopjet dhe ky proces do të kryhet në mënyrë të pandërprerë dhe në prezencë të kamerave të KQZ-së”, tha ai.
Seanca e radhës pritet të mbahet ditën e hënë, në orën 11:00./ata