Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se qeveria shqiptare është e angazhuar në ndërtimin e Korridorit 8.

 

Sipas Ballukut, Korridori 8 është një korridor shumë i rëndësishëm dhe parashikon jo vetëm ndërtimin e segmenteve rrugore lidhëse, por edhe ndërtimin e linjës hekurudhore që lidh portin e ri të Durrësit me Maqedoninë e Veriut.

 

“Tashmë edhe Maqedonia e Veriut ka nisur ndërtimin e segmentit të Korridorit të 8 që do të lidhë Shkupin me kufirin shqiptar. Tashmë jemi të gjithë të vendosur në një linjë dhe mund të themi se ndërtimi i Korridorit të 8 nuk është më premtim elektoral as narrativë politike, por një realitet që po i përafrohemi çdo ditë e më shumë për ta bërë të prekshëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut”, tha Balluku gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e rrugës Fier-Vlorë.

 

Zv/kryeministrja foli dhe për Korridorin Blu, që lidh Kroacinë me Greqinë e që kalon përmes Shqipërisë.

 

Pjesë këtij korridori, tha Balluku, janë edhe mbi 318 km në Shqipëri, ndërsa një pjesë e tyre janë ndërtuar.

 

“Në një pjesë të segmenteve ka nisur puna, ndërsa për një pjesë tjetër po negociohen kontrata për të bërë kështu një autostradë që do të përshkojë Shqipërinë nga Shkodra në Gjirokastër”, deklaroi Balluku.