Viti 2024 pritet të shënojë rekord për sa u përket rendimenteve të grurit në Kosovë. Madje, sipas Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës pritet të sigurohet buka për gjithë vitin.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook konfirmoi disa të dhëna.
Edhe ekspertët në vend këmbëngulin se prodhimtaria e grurit këtë vit qoftë për nga sasia, qoftë për nga cilësia, është më e mirë se vitin e kaluar.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës – ASK tregojnë se vendi ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për arsye të ndryshme shfrytëzohen mbi 420 mijë hektarë. Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategorinë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime dhe kopshte.
Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton, përfshirë këtu edhe prodhime bujqësore.
Vendi nuk i plotëson as nevojat e popullsisë për grurë dhe importon nga fqinjët ose vendet e Bashkimit Europian. Prodhimi vendor i grurit, ndër vite, është rreth 300 mijë tonë, në një kohë që nevojiten mbi 410 mijë tonë./Scan