Eksportuesit gjermanë shitën më shumë mallra në Poloni se sa në Kinë në gjysmën e parë të vitit, në një përpjekjeje diversifikimi, që synon të reduktojë varësinë nga tregu kinez.

Kompanitë e mëdha eksportuese gjermane në sektorë të tillë si mallrat industriale dhe makinat kanë qenë prej kohësh shtyllat e ekonomisë së vendit, por tensionet e fundit midis Kinës dhe Perëndimit kanë nxitur një ndryshim të fokusit në strategjitë e eksportit.

Të dhënat nga Komiteti i Gjermanisë për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore, që synon të promovojë tregtinë midis Gjermanisë dhe Evropës Lindore, treguan se eksportet e mallrave në Poloni u rritën me 4.6%, duke shkuar në 48.4 miliardë euro në gjashtë muajt e parë të vitit.

Ndërsa eksportet në Kinë ranë me 2.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, në 48.2 miliardë, bazuar në të dhënat paraprake nga zyra gjermane e statistikave.

Polonia u ngjit kështu në vendin e katërt midis tregjeve më të rëndësishme të shitjeve për industrinë gjermane të eksportit, ndërsa Kina një vend më poshtë.

Sipas shifrave, eksportet gjermane në Evropën Lindore u rritën lehtë duke shkuar në 145 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që eksportet totale u tkurrën.

Duke llogaritur pothuajse 19% të tregtisë së jashtme gjermane, vendet e Evropës Lindore janë bërë një shtyllë e ekonomisë gjermane të orientuar nga eksporti.

Sipas të dhënave, SHBA ka qenë tregu kryesor i eksportit për Gjermaninë në gjashtë muajt e parë të vitit, e ndjekur nga Franca dhe Holanda./Scan