Në parkun Olimpik të Tiranës u prezantua sot strategjia e zhvillimit të Tiranës në 5 vitet e ardhshme.
Me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe disa prej drejtuesve të sektorëve kryesorë të bashkisë së Tiranës u ndalën në disa prej fushave më të rëndësishme ku është investuar dhe ku do të fokusohet puna në planin e ri strategjik zhvillimor të kryeqytetit.
“Krenaria ime më e madhe, janë shkollat, kopshtet dhe çerdhet e reja që kemi ndërtuar në Tiranë. Janë investime që do t’i ngelen qytetit edhe për 100 vitet e ardhshme. Por, jam krenar edhe për faktin se kemi investuar te dija, si i vetmi aset që nuk na e merr dot askush”, tha Veliaj.
Në Tiranë tha ai, janë ndërtuar mbi 40 shkolla, ndërsa në shtator pritet të hapen edhe disa shkolla të reja.
Disa prej ndërhyrjeve kryesore në infrastrukturën arsimore dhe atë të inovacionit:
Arsimi:
– 40 shkolla të reja dhe rikonstruktuar 36 të tjera;
– 20 kopshte të rinj dhe rikonstruktuar 34 të tjerë;
– 9 çerdhe të reja dhe 22 të rikonstruktuara;
– 4 biblioteka të rikonstruktuara;
– 25 shkolla të Tiranës janë kthyer në hapësira të hapura për komunitetin;
– Ndërtuar 13 godina të reja konviktesh;
– Janë rehabilituar 16 konvikte ekzistuese;
– Karta e Studentit me mbi 2,200 shërbime, abone falas dhe 50% të kostos së konviktit.
Inovacioni:
– Piramida, e cila hap dyert këtë pranverë, do të jetë qendra më e madhe e teknologjisë së inovacionit dhe digjitalizimit. Aty do jetë shtëpia e re e TUMO-s që tashmë ka regjistruar 2,200 nxënës, 670 prej të cilëve kanë përfunduar nivelin e parë dhe të dytë të njohurive.
– Akademia e Kodimit ku bashkia ka dhënë të paktën 1,500 bursa për fëmijët e familjeve në nevojë;
– Shkollat e reja me laboratorë digjitalë, (klasat e kodimit që në klasën e parë fillore);
– 8 Bibliotekat e qytetit të rivitalizuara, sot shërbejnë si Qendra Komunitare dhe të Teknologjisë;
– Muzeu virtual për fëmijë (Mikrofolia)
– Agjencia e Industrisë Kreative prej 2022, ka zhvilluar 21 aktivitete me rreth 13,000 pjesëmarrës.